Loading

TURIZMI PO RRITET. POR KUSH DO TA MBËSHTESË RRITJEN!

Rritja e turizmit në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e dukshme në territor. Kapacitete të reja akomoduese, investime më ambicioze, restorante dhe koncepte të reja po ndryshojnë gradualisht dimensionin e industrisë. Për një vend që për shumë vite është përpjekur të krijojë kërkesë dhe të pozicionohet në hartën turistike të rajonit, ky zhvillim është një arritje e rëndësishme. Por ritmi i tij po nxjerr në pah një sfidë tjetër, më pak të dukshme se infrastruktura dhe shumë më të vështirë për t’u ndërtuar: kapitalin njerëzor.

Shifrat e bëjnë këtë presion më të qartë. Sipas WTTC, Travel & Tourism mbështeti rreth 269 mijë vende pune në Shqipëri në vitin 2023, ndërsa për vitin 2024 parashikohej një rritje me afro 10 mijë vende të tjera. Në perspektivë më të gjatë, punësimi i mbështetur nga sektori pritet të kalojë 314 mijë vende pune deri në vitin 2034. Duke ndjekur këtë trajektore, një projeksion i STANDART e vendos nivelin rreth 300 mijë vende pune në vitin 2030.

Këto shifra tregojnë potencialin ekonomik të sektorit, por njëkohësisht ngrenë një pyetje të rëndësishme për mënyrën se si kjo rritje do të mbështetet. Shqipëria po zgjeron industrinë turistike në një periudhë kur tregu vendas i punës përballet me presion demografik, emigracion dhe mungesë aftësish në profesione të caktuara. UNDP ka evidentuar mospërputhjen mes kompetencave që kërkon tregu dhe atyre që janë të disponueshme, ndërsa zhvillimi i shpejtë i turizmit po e bën këtë diferencë gjithnjë e më të rëndësishme për mikpritjen.

Në praktikë, kjo do të thotë se sfida e viteve të ardhshme nuk do të jetë thjesht gjetja e më shumë punonjësve. Një industri që synon të rritet në volum dhe njëkohësisht në cilësi ka nevojë për profesionistë të aftë të operojnë struktura gjithnjë e më komplekse, të drejtojnë ekipe, të menaxhojnë performancën dhe të ofrojnë një nivel shërbimi në përputhje me pritshmëritë që krijojnë investimet e reja. Ritmi i zhvillimit fizik dhe ai i zhvillimit profesional fillojnë të ecin me shpejtësi të ndryshme. Kapitali financiar mund të ndërtojë një hotel, të pajisë një kuzhinë apo të sjellë një markë ndërkombëtare në treg. Kapitali njerëzor kërkon kohë. Eksperienca, gjykimi profesional, aftësia për të drejtuar dhe kultura e shërbimit krijohen përmes edukimit, praktikës dhe ekspozimit të vazhdueshëm ndaj standardeve të larta.

Ky dallim ka rëndësi sepse në mikpritje cilësia e investimit fizik dhe cilësia e eksperiencës janë të lidhura ngushtë. Sa më shumë rritet niveli i strukturave, aq më të larta bëhen pritshmëritë e mysafirit. Një hotel më i mirë, një restorant më ambicioz apo një çmim më i lartë krijojnë një premtim të caktuar për cilësinë. Përmbushja e këtij premtimi varet në një masë të madhe nga njerëzit që e realizojnë atë çdo ditë. Në këtë kontekst, mungesa e fuqisë punëtore fillon të marrë një dimension tjetër. Ajo prek produktivitetin, konsistencën e shërbimit, kostot e rekrutimit, ngarkesën e ekipeve ekzistuese dhe aftësinë e bizneseve për të ruajtur standardin ndërsa zgjerohen. Nëse ritmi i investimit vazhdon, ndërsa baza e profesionistëve të përgatitur rritet më ngadalë, hendeku mes dy tëjave mund të kthehet në një kufizim real për zhvillimin e sektorit.

Përgjigjja, për këtë arsye, kërkon më shumë sesa rekrutim. Trajnimi profesional, zhvillimi i drejtuesve, strukturat e qarta të karrierës, sistemet operative dhe mbajtja e punonjësve duhet të shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e investimit të biznesit. Edhe produktiviteti bëhet thelbësor: në një treg ku njerëzit janë më të vështirë për t’u gjetur, organizatat duhet të mësojnë të përdorin më mirë talentin që kanë. Kjo është ndoshta faza më interesante e zhvillimit të turizmit shqiptar. Për shumë vite, fokusi ishte krijimi i destinacionit, rritja e vizibilitetit dhe tërheqja e investimeve. Sot, ndërsa këto procese po japin rezultate, vëmendja duhet të zgjerohet drejt asaj që do ta bëjë rritjen të qëndrueshme. Konkurrueshmëria e Shqipërisë si destinacion do të varet po aq nga cilësia e njerëzve sa nga cilësia e strukturave. Investimi fizik mund të ndryshojë pamjen e industrisë; investimi në njerëz do të përcaktojë nivelin e saj.

Leave A Comment