Loading

Pse bizneset kanë nevojë për sistem, jo vetëm për njerëz të mirë?

Një reflektim mbi menaxhimin, kulturën e punës dhe qëndrueshmërinë e bizneseve.

Në bisedat që kam zhvilluar ndër vite me pronarë dhe menaxherë biznesesh, veçanërisht në industrinë e mikpritjes, kam vënë re se shumë prej shqetësimeve të tyre lidhen me njerëzit. Vështirësia për të gjetur punonjës të mirë, mungesa e përgjegjshmërisë apo largimi i një profesionisti me eksperiencë janë tema që përsëriten vazhdimisht.

Janë shqetësime të kuptueshme. Megjithatë, përvoja më ka bërë të mendoj se shpesh, në përpjekje për të gjetur njerëzit e duhur, nuk i kushtojmë vëmendjen e nevojshme mënyrës se si kemi ndërtuar vetë biznesin.

Kur diçka nuk funksionon, priremi të kërkojmë përgjegjësinë te individi. Pyesim pse një punonjës nuk e kreu detyrën apo pse një menaxher nuk e kontrolloi situatën. Më rrallë analizojmë nëse biznesi ka krijuar kushtet që këto përgjegjësi të kuptohen dhe të përmbushen në mënyrë të qëndrueshme. Mjafton të mendojmë për një restorant ku një kamarier me eksperiencë është kthyer në pikën kryesore të referimit për ekipin. Ai njeh klientët, koordinon kolegët dhe zgjidh situata të vështira. Për sa kohë është i pranishëm, gjithçka duket se funksionon. Por kur ai mungon, komunikimi vështirësohet, përgjegjësitë bëhen të paqarta dhe cilësia e shërbimit mund të ndryshojë. Në këtë rast, problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te aftësitë e punonjësve të tjerë. Biznesi ka lejuar që një pjesë e funksionimit të tij të mbështetet te eksperienca e një individi, pa i kthyer këto njohuri në praktika të përbashkëta pune.

Këtu qëndron dallimi ndërmjet një biznesi që funksionon falë disa njerëzve të aftë dhe një biznesi që ka krijuar kushtet për të prodhuar rezultate të qëndrueshme. Në menaxhim, sistemet përfaqësojnë mënyrën se si organizohen proceset, përcaktohen përgjegjësitë, shpërndahet informacioni dhe monitorohen rezultatet. Ato nuk duhet të jenë domosdoshmërisht struktura të ndërlikuara. Shpesh mjaftojnë procedura të qarta, një ndarje e kuptueshme e detyrave dhe komunikim i rregullt ndërmjet stafit dhe drejtimit. Në industrinë e mikpritjes, ku eksperienca e klientit ndikohet nga shumë ndërveprime të vogla, rëndësia e këtyre elementeve bëhet edhe më e dukshme. Një restorant mund të ketë një kuzhinë të shkëlqyer, por nëse komunikimi ndërmjet sallës dhe kuzhinës nuk funksionon, cilësia e produktit nuk mjafton për të garantuar një eksperiencë të mirë.

Nga përvoja ime, një nga sfidat më të mëdha për bizneset e vogla dhe të mesme është kalimi nga menaxhimi i bazuar te ndërhyrja e vazhdueshme drejt një modeli ku përgjegjësitë dhe proceset janë të përcaktuara qartë. Shumë biznese janë ndërtuar mbi përkushtimin personal të pronarëve. Në fazat e para, kjo është shpesh vendimtare. Por me rritjen e aktivitetit, e njëjta mënyrë drejtimi mund të kthehet në kufizim. Kur çdo vendim kalon përmes një personi, biznesi bëhet gjithnjë e më i varur nga prania e tij.

Megjithatë, sistemi nuk duhet ngatërruar me kontrollin e çdo veprimi. Veçanërisht në mikpritje, marrëdhënia me klientin kërkon ndjeshmëri, iniciativë dhe gjykim profesional. Një sistem i mirë nuk e kufizon këtë liri, por krijon një strukturë të qartë brenda së cilës punonjësit mund të përdorin aftësitë e tyre. Po aq i rëndësishëm është ndikimi në zhvillimin e stafit. Kur mungojnë proceset e trajnimit dhe integrimit, punonjësit e rinj mësojnë kryesisht duke vëzhguar kolegët, duke trashëguar shpesh si praktikat e mira, ashtu edhe ato të gabuara. Një biznes që dokumenton dhe transmeton njohuritë krijon më shumë vazhdimësi dhe redukton varësinë nga individë të caktuar. Në një treg pune ku rekrutimi dhe mbajtja e stafit po bëhen gjithnjë e më sfiduese, kjo qasje merr një rëndësi të veçantë. Largimi i një punonjësi me eksperiencë mbetet një humbje, por nuk duhet të kthehet në një krizë për funksionimin e biznesit.

Mendoj se këtu duhet të ndryshojë edhe mënyra se si e vlerësojmë menaxhimin. Një menaxher i mirë nuk është domosdoshmërisht ai që zgjidh më shumë probleme gjatë ditës, por ai që ndërton kushtet që shumë prej tyre të mos lindin. Po kështu, suksesi i një pronari nuk qëndron vetëm te aftësia për të kontrolluar aktivitetin, por edhe te krijimi i një biznesi që mund të funksionojë me të njëjtën cilësi pa ndërhyrjen e tij të vazhdueshme.

Njerëzit sjellin eksperiencën, kreativitetin dhe aftësinë për të krijuar vlerë, ndërsa sistemet sigurojnë që këto aftësi të mos mbeten të izoluara, por të bëhen pjesë e mënyrës së përditshme të funksionimit. Një biznes mund të funksionojë falë disa njerëzve të jashtëzakonshëm, por qëndrueshmëria e tij varet nga aftësia për ta kthyer profesionalizmin individual në një standard të përbashkët pune.

Leave A Comment