Aty ku pasioni takohet me disiplinën, presionin dhe sakrificën
Ka një moment, pak përpara se restoranti të mbushet, kur kuzhina ndryshon ritëm. Përgatitjet po përfundojnë, stacionet kontrollohen edhe një herë, komunikimi bëhet më i shkurtër dhe përqendrimi rritet. Pastaj vjen porosia e parë — dhe gjithçka fillon. Nga jashtë, një darkë në restorant mund të duket e qetë dhe e natyrshme. Brenda kuzhinës, ajo është rezultat i një mekanizmi kompleks ku koha, temperatura, teknika, organizimi dhe puna në ekip duhet të funksionojnë njëkohësisht. Çdo minutë ka rëndësi dhe çdo pjatë duhet të dalë me të njëjtën cilësi, pavarësisht nëse është e para apo e njëqinda e mbrëmjes.
Pikërisht këtu kupton se të dish të gatuash është vetëm fillimi.
Kuzhina profesionale kërkon aftësi teknike, por po aq kërkon disiplinë, rezistencë fizike dhe emocionale, organizim, komunikim dhe aftësinë për të marrë vendime nën presion. Kreativiteti mund të krijojë një pjatë të jashtëzakonshme; profesionalizmi duhet të sigurojë që ajo të realizohet me të njëjtin standard çdo herë. Dhe kjo përsëritje e cilësisë është shumë më e vështirë nga sa duket. Orët kalojnë kryesisht në këmbë. Temperaturat janë të larta. Ritmi intensifikohet pikërisht atëherë kur lodhja fillon të ndihet. Gabimet duhet të dallohen dhe korrigjohen shpejt, ndërsa presioni i një shërbimi të plotë nuk lejon gjithmonë luksin për të ndaluar. Por sfida e profesionit nuk mbaron brenda kuzhinës.
Kur të tjerët festojnë, industria e mikpritjes punon. Fundjavat, festat, mbrëmjet dhe muajt e verës janë pikërisht momentet kur kërkesa është më e madhe. Pas eksperiencës së bukur të një familjeje në restorant mund të jetë një profesionist që atë mbrëmje nuk është ulur në tavolinë me familjen e vet. Kjo është një sakrificë që klienti nuk e sheh, por që është pjesë reale e profesionit. Ndoshta për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm kur e përshkruajmë punën në kuzhinë vetëm përmes fjalës “pasion”. Pasioni mund të jetë arsyeja pse dikush e zgjedh këtë profesion, por nuk është ajo që e mban një kuzhinë në këmbë çdo ditë. Atë e mbajnë njerëzit, kompetencat dhe sistemet.
Trajnimi, receta të standardizuara, organizimi i punës, komunikimi, lidershipi dhe një kulturë e fortë profesionale nuk e zëvendësojnë talentin — e mbrojnë atë. Ato krijojnë kushtet që një profesionist të performojë vazhdimisht pa qenë i detyruar të mbështetet vetëm te rezistenca personale. Ky është një reflektim veçanërisht i rëndësishëm për mikpritjen shqiptare sot. Ndërsa restorantet dhe hotelet bëhen më ambicioze dhe investimet më të mëdha, standardi i industrisë do të përcaktohet nga hapësirat që ndërtojmë apo pajisjet që blejmë, por mbi të gjitha, do të përcaktohet nga njerëzit që punojnë brenda tyre. Sepse një kuzhinë moderne mund të ndërtohet në disa muaj. Një profesionist kërkon vite. Ai ndërtohet përmes eksperiencës, trajnimit, mentorimit, gabimeve, disiplinës dhe mijëra orëve të punës që klienti nuk do t’i shohë kurrë. Në fund të mbrëmjes, dritat e restorantit fiken. Pjatat e fundit pastrohen, stacionet sistemohen dhe kuzhina qetësohet përsëri dhe të nesërmen, gjithçka fillon nga e para.
Ndoshta pikërisht aty qëndron vlera e vërtetë e këtij profesioni: të krijosh vazhdimisht eksperienca për të tjerët, edhe kur askush nuk sheh disiplinën, aftësinë dhe sakrificën që qëndrojnë pas tyre.

