Loading

SOLO DINING: NJË KLIENT, JO NJË TAVOLINË E HUMBUR

Solo dining nuk lidhet vetëm me personat që jetojnë vetëm. Ai përfshin profesionistë që konsumojnë një vakt gjatë ditës së punës, turistë individualë, udhëtarë biznesi, digital nomads dhe, gjithnjë e më shumë, njerëz që thjesht zgjedhin të drekojnë apo darkojnë vetëm.

Në Shqipëri, mbi 100 mijë persona jetojnë në familje njëpersonëshe, të cilat përbëjnë rreth 13.7% të familjeve. Kjo shifër nuk do të thotë domosdoshmërisht se këta persona konsumojnë vaktet vetëm, por tregon një ndryshim të strukturës sociale që, së bashku me rritjen e turizmit individual dhe mënyrave më fleksibël të punës e të udhëtimit, e bën solo dining një segment që meriton vëmendje.

Për restorantet, kjo sjell një pyetje interesante: a janë hapësirat dhe shërbimi ynë të menduara edhe për klientin që vjen vetëm?

Tavolinat për një person, mundësia për të ngrënë në banak ose bar dining, menu më fleksibël dhe një shërbim që nuk e bën klientin të ndihet në siklet janë elemente të vogla që mund të ndryshojnë ndjeshëm përvojën. Mbi të gjitha, duhet të ndryshojë perceptimi operacional. Një person i vetëm në një tavolinë nuk është domosdoshmërisht një tavolinë “e humbur”. Është një klient me të njëjtën pritshmëri për mikpritje, të njëjtin potencial për t’u rikthyer dhe të njëjtën mundësi për t’u bërë ambasador i restorantit. Në një treg mikpritjeje që po diversifikohet, pyetja nuk është më vetëm sa persona mund të vendosim në një tavolinë, por sa mirë dimë ta përdorim hapësirën dhe t’i shërbejmë çdo klienti që zgjedh të ulet në të.

Leave A Comment