PUNËTORËT PO VIJNË. A JANË KOMPANITË SHQIPTARE GATI?
Mbi 18,000 leje pune për shtetas të huaj në vetëm një vit nuk janë thjesht një statistikë; janë sinjali i një transformimi që po ndodh në tregun shqiptar të punës. Rritja me 43.4% krahasuar me vitin 2024 tregon se ky fenomen nuk mund të konsiderohet më periferik apo i përkohshëm.
Shqipëria po hyn gradualisht në një realitet të ri, ku fuqia punëtore po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtare. Punonjës nga Filipinet, India, Egjipti dhe vende të tjera po bëhen pjesë e përditshmërisë së kompanive shqiptare. Për sektorë si mikpritja dhe turizmi, ku sigurimi i stafit është kthyer në një sfidë të vazhdueshme, kjo krijon një mundësi të rëndësishme. Por ardhja e fuqisë punëtore nuk e zgjidh automatikisht problemin. Të rekrutosh është vetëm hapi i parë; sfida reale fillon kur njerëz me gjuhë, kultura dhe eksperienca profesionale të ndryshme duhet të funksionojnë si një ekip i vetëm.
Kjo kërkon onboarding më të strukturuar, trajnim të vazhdueshëm, komunikim ndërkulturor dhe, mbi të gjitha, standarde pune që kuptohen njësoj nga të gjithë. Në këtë realitet të ri, aftësia për të drejtuar ekipe multikulturore po shndërrohet nga një avantazh në një kompetencë thelbësore menaxheriale.
P.sh : Portugalia ofron një shembull interesant për Shqipërinë. Në vend që migracionin e punës ta trajtojë vetëm si burim rekrutimi, ajo ka krijuar programin Integrar para o Turismo, që lidh integrimin e migrantëve me formimin profesional dhe punësimin në turizëm, hoteleri dhe restorante. Modeli kombinon përgatitjen teknike me gjuhën dhe kulturën portugeze, zhvillimin e soft skills dhe eksperiencën praktike në kompani.
Rezultatet e para e kanë shtyrë Portugalinë ta zgjerojë modelin. Në edicionin e dytë të vitit 2026 u hapën 1,000 vende, u forcua komponenti gjuhësor dhe praktika në kompani u zgjerua nga një në tre muaj. Kjo është domethënëse: integrimi nuk po trajtohet vetëm si përgjegjësi sociale, por si pjesë e strategjisë për të ndërtuar një sektor turistik me njerëz më të përgatitur dhe kompani më të afta për t’i mbajtur ata.
Pikërisht këtu qëndron edhe mësimi për Shqipërinë. Këto leje pune tregojnë sa shpejt po ndryshon tregu; mënyra si do t’i integrojmë këta njerëz do të tregojë sa të përgatitur jemi për ndryshimin.E ardhmja nuk do t’u përkasë vetëm kompanive që arrijnë të gjejnë staf. Do t’u përkasë atyre që dinë ta integrojnë, trajnojnë, zhvillojnë dhe mbajnë atë.

